
Çuditë në këtë vendin tonë të vogël vijojnë, teksa askujt s’i bën më përshtypje mashtrimet, vjedhjet, arrestimet apo edhe dorëheqjet.
Nëse në vendet perëndimore dorëheqja konsiderohet më shumë se si një akt moral, pas një shkelje të të afërmve apo një ndodhie, në vendin tonë dorëheqjet janë veçse formale.
Kjo ka ndodhur me z. Johan Sterjo, i cili në vitin 2023 u dorëhoq nga posti i zëvendëskryetarit të Bashkisë së Pogradecit.
Dorëheqja ndodhi për shkak se motra e tij, Viola Sterjo, u arrestua dhe u hetua për mashtrime me pasoja të mëdha.
Ajo ishte drejtoreshë dhe, premtonte se do t’u zgjidhte qytetarëve të ndryshëm problemet me AZHBR-në, madje do të ndërhynte që ata të merrnin edhe fonde.
Në atë kohë vëllai i saj Johani u dorëhoq, teksa lajmi “mori dhënë” në media dhe portale.
Arsyetimi ishte se dorëhiqej moralisht, por duket se largimi nga posti ka qenë vetëm nga Bashkia e Pogradecit.
Në atë kohë, 2023, Johani ishte edhe drejtor i Ujësjellësit të Pogradecit, post të cilin s’e lëshoi.
Koha kaloi dhe, në 2025-ën motra e tij u lirua nga burgu.
Mediat kanë publikuar se Viola ka rifilluar rastet e mashtrimit, ndërkohë që vëllai i saj, Johani është në një detyrë të rëndësishme, drejtor i Ujësjellësit të Pogradecit.
Në të njëjtën kohë, Johani firmos tendera, madje me shumë zero.
Por nëse në 2023-shin dha dorëheqje për veprimet e së motrës, a do t’a bëjë në 2025-ën?! Apo më të rëndësishme janë shërbimet dhe firmosja e tenderëve!
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit të shpallur nga Ujësjellësi i Pogradecit
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Ujësjellësi i Pogradecit ka shpallur në datë 8 maj 2025 fituesin e një tenderi.
Mësohet se bëhet fjalë për procedurën me objekt “ndërtimi i sistemit të kanalizimeve të Njësisë Administrative Udenisht, Bashkia Pogradec” me afat 24 muaj.
Tenderi ma qenë me vlerë 10 milionë euro, teksa pati disa oferta. Një prej tyre ishte e “ED KONSTRUKSION” me vlerë 994 milionë lekë.
Oferta e dytë e “METEO” me vlerë 976 milionë lekë dhe oferta e tretë e “4 A-M” me vlerë 933 milionë lekë.

Ofertë pati edhe firma lokale “REJ”. Një nga firmat në garë u skualifikua dhe fitues doli firma “4 A-M”, me vlerë 933 milionë lekë.

Në fund është edhe emri i titullarit të institucionit, Johan Sterjo! Por, a nuk ishte dorëhequr?!
“Johan Sterjo, njëkohësisht është drejtor i Ujësjellësit në qytetin e Pogradecit prej vitit 2019. Në vitin 2021 ai zuri vendin e Bledi Çomos si nënkryetar i Bashkisë Pogradec duke mbajtur njëkohësisht dhe postin e drejtorit të ujësjellësit të Pogradecit. Vendimi i Sterjos për t’u dorëhequr vjen pasi motra e tij, Viola Stejo u arrestua për mashtrim. 39-vjeçarja, ish-punonjëse në administratë, u vu në pranga pak ditë më parë, pasi arriti t’i marrë 344 mijë euro 4 bizneseve në Korçë dhe Pogradec. Ajo arriti të mashtrojë bizneset duke shfrytëzuar pozitën e saj dhe njohjet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për të dalë garant tek subjektet se do të fitonin projekte nga AZHBR-ja, me vlera financimi nga 1 milionë deri në 4 milionë euro. Prokuroria e Korçës e hetoi gjatë Sterjon dhe bazuar në provat e deritanishme gjykata e ka lënë në burg” do të shkruanin në atë kohë mediat! /voxnews