
Votat preferenciale për kandidatët e listave të hapura përfaqësojnë padyshim një prej elementëve më të pamoralshëm dhe denigrues të këtij procesi zgjedhor. Përtej penalizimit brutal të forcave të reja nga kodi zgjedhor, i cili kufizoi ndjeshëm mundësinë për të dërguar deputetë në Kuvend në proporcion me numrin e votave, listat e hapura nxorën në pah një realitet të hidhur: lufta brenda partisë shpesh është më e ashpër dhe më e mbushur me hile se ajo kundër kundërshtarit politik.
Nëse analizojmë rezultatet e kandidatëve të Partisë Socialiste në Tiranë, bie në sy numri i lartë i votave të fituara nga figura si Blendi Gonxhe dhe Ervin Hoxha. Por a mund të shpjegohet logjikisht se si Blendi Gonxhe – një ish-zyrtar i Bashkisë së Tiranës, i akuzuar për korrupsion dhe i rehabilituar politikisht vitet e fundit – ka arritur të sigurojë 20 mijë vota? Cilat arritje apo cilësime ideologjike kanë bindur socialistët për ta mbështetur atë në këtë masë?
Po ashtu, ministri Ervin Hoxha, me rreth 17 mijë vota në qarkun e Tiranës, ngre pikëpyetje të ngjashme. Çfarë arritjesh të prekshme ka ofruar ky ministër në detyrë? As lufta ndaj krimit, as performanca e policisë së shtetit nuk ofrojnë arsye për mbështetje kaq masive. Përkundrazi, qasjet e tij politike ndaj ngjarjeve kriminale shpesh kanë lënë për të dëshiruar.
Në mungesë të fakteve konkrete, një analizë racionale mbi realitetin e zgjedhjeve në Shqipëri sugjeron se fuqia e pushtetit të ministrave dhe zyrtarëve është përdorur si urë për të trafikuar votat preferenciale. Kjo garë e ethshme për vota ka lënë jashtë parlamentit figura me kontribute të gjata si Pandeli Majko dhe Mimi Kodheli.
Rrotacioni dhe qarkullimi i politikanëve mund të jenë të nevojshme, veçanërisht në kontekstin shqiptar, por a mund të ndodhë kjo përmes metodës së “përdor pushtetin për të marrë vota”? Eksperienca ka treguar se të rinjtë nuk janë gjithmonë bartës të mentalitetit të ndryshimit dhe se, nëse kjo e re shoqërohet me korrupsion në mbledhjen e votave, ndoshta është më e udhës të mbeten të vjetrit. Sepse nuk mund të zgjedhim gjithmonë të keqen më të vogël – në politikë apo kudo tjetër./vna.al