
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi se PD nuk do t’i njohë zgjedhjet e fundit, duke i konsideruar ato të manipuluara dhe të pavlefshme. Në një prononcim për Top Channel, Noka u shpreh se procesi zgjedhor është ndikuar rëndë nga ajo që ai e quajti “narkoregjimi” i kryeministrit Edi Rama.
“Ne këto zgjedhje nuk mund t’i njohim,” u shpreh Noka. “Që nga viti 2017, Edi Rama dhe regjimi i tij kanë vijuar të instalojnë gjithnjë e më fort kontrollin mbi procesin elektoral, duke forcuar financiarisht makinerinë elektorale. A ka pasur në Shqipëri votë të lirë? Kurrë.”
Noka theksoi se opozita ka bërë detyrën e saj për të mbrojtur demokracinë, por sipas tij, nuk mund të jetë e vetme në këtë betejë.
“Vota në kuti nuk është prekur dhe dua të shpreh mirënjohjen time për komisionarët dhe numëruesit që po mbrojnë çdo votë të demokratëve,” tha ai. “Por kur ti ndërton një ushtri patronazhistësh që ndjek çdo qytetar, kur diasporës i kërkohet të raportojë me foto votën, atëherë ku është SPAK?”
Flamur Noka përfundoi deklaratën me një mesazh të fortë për mbështetësit: “Kurrë nuk dorëzohemi.” /korrieri