
PËRGJIMI/ “Pash Zotin janë pak vota o burr…” Si i kapi SPAK duke blerë vota krerët e PSD në Shkodër
Janë zbardhur detaje të reja nga hetimi për aktivitetin kriminal të dyshuar të shitblerjes së votës në Shkodër, ku të përfshirë rezultojnë eksponentë të Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi sipas VNA.
Në qendër të hetimeve ndodhet Ardian Hysa, kryetar i PSD-së për degën e Malësisë së Madhe, i cili dyshohet se ka qenë aktivisht i angazhuar në fushatën zgjedhore duke ofruar para për blerjen e votave në favor të partisë së tij. Sipas dosjes hetimore, Hysa, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka ofruar shuma monetare të marra nga përfaqësues të PSD-së që veprojnë në qarkun e Shkodrës, me qëllim ndikimin tek votuesit.

Hetimi ka nisur pas indicieve të para për përfshirje në korrupsion zgjedhor dhe është ndjekur nga një seri përgjimesh telefonike. Në një bisedë të kapur nga organet hetimore, një shtetas i shprehet Hysës:
“Për Zotin, tash se di unë, janë pak vota e burr, si i thonë, i kam te ata që janë njerëzit e mi, a kupton, po unë për Zotin e kam një fije të vështirë me shku vetë, prej problemit që kam, a kupton…”.
Në vijim të komunikimit, Hysa i propozon bashkëbiseduesit që të takohen fizikisht dhe më pas biseda zhvendoset në platformën WhatsApp. Nga analiza e komunikimeve, SPAK ka arritur në bindjen se Ardian Hysa, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka qenë i përfshirë jo vetëm në ofrimin apo premtimin e përfitimeve financiare në këmbim të votës, por edhe në mbledhjen e kartave të identitetit të qytetarëve, me qëllim pengimin e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në bazë të provave të mbledhura, SPAK ka urdhëruar kryerjen e gjashtë kontrolleve ndaj personave të dyshuar. Operacioni u realizua dje në zonat e Malësisë së Madhe dhe Vaun e Dejës, nga strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar telefonat celularë të gjashtë personave të dyshuar si dhe janë kontrolluar nëntë automjete, një prej të cilave në pronësi të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Hetimet vijojnë në dinamikë, ndërsa priten zhvillime të mëtejshme lidhur me identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe rolin konkret të çdo individi në këtë skemë të dyshuar të manipulimit elektoral. /korrieri