
Në prag të përfundimit të fushatës elektorale, politika shqiptare përjeton një tjetër moment tensioni dhe lëvizjesh të forta. Ish-kryeministri Sali Berisha, përmes mediave pranë tij, bëri të ditur se ndaj tij është hequr vendimi “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës — një zhvillim që, nëse konfirmohet, do të kishte ndikim të madh në skenën politike.
Në një përgjigje të menjëhershme dhe indirekte, kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Fier këtë mëngjes, njoftoi hapjen e një tjetër grupkapitulli në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Dje kur po shkoja në Fier, mora lajmin se grupkapitulli tjetër i negociatave u aprovua për t’u hapur. Kemi hapur 16 kapituj, hapim edhe 8 të tjerë tani. Mbeten edhe 11 për t’u hapur dhe kam besim, shpresoj e uroj që me fuqinë e re të 11 majit t’i hapim të gjithë brenda këtij viti. Do të ishte rekord evropian,” deklaroi Rama, duke e konsideruar këtë si një “fat në duart tona”.
Ky zhvillim duket se synon të balancojë ndikimin që mund të ketë lajmi për heqjen e “non gratës” ndaj Berishës, në një moment kur çdo lajm i madh mund të peshojë rëndë në rezultatin final të votimeve.
Në metrat e fundit të fushatës, beteja politike midis Ramës dhe Berishës duket se po zhvendoset edhe në terrenin e perceptimeve ndërkombëtare dhe progresit strategjik të Shqipërisë./korrieri