
Në Vatikan ka nisur një nga momentet më solemne dhe të fshehta të Kishës Katolike: zgjedhja e Papës së ri.
Mbi 130 kardinalë nga 70 vende të botës janë mbledhur për të marrë pjesë në konklavën më të larmishme në historinë 2000-vjeçare të fesë. Ky proces, i mbështjellë me mister dhe rregulla të rrepta, synon të zgjedhë pasuesin e Papa Françeskut.
Kardinalët janë izoluar nga bota e jashtme, duke dorëzuar telefonat dhe duke u shkëputur nga çdo lloj komunikimi, në mënyrë që vendimi të merret në përqendrim të plotë.
Nga 133 kardinalë votues, 108 janë emëruar nga vetë Françesku, shumë prej të cilëve vijnë nga vende që nuk kanë pasur më parë përfaqësim në këtë nivel, si Mongolia, Suedia dhe Tonga.
Përfshirja e figurave të reja dhe të reja në moshë, shumë prej të cilëve nga “jugu global”, ka sjellë një dinamikë të re në këtë proces.
Disa kardinalë shprehën shqetësime për mungesën e kohës për t’u njohur mes tyre, duke ngritur pikëpyetje për kohëzgjatjen e votimeve dhe sa shpejt mund të arrihet konsensusi i nevojshëm – dy të tretat e votave, apo 89 në total – për të zgjedhur Papën e 267-të të Kishës Katolike. /korrieri