
Një ngjarje e rëndë tronditi Hasin sot, ku konflikti mes dy familjeve përfundoi me një viktimë. 41-vjeçari Ylber Jaku ka qëlluar për vdekje me armë zjarri, Rushit Callahin, si pasojë e një konflikti për pronat. Mësohet se babai i autorit ka bërë mbi 20 kallëzime në Polici për shkak të konflikteve të vazhdueshme me fqinjët e tyre. Por, dje Policia e Kukësit arrestoi motrën e viktimës, pasi 21-vjeçarja Artjola Sallahu dhunoi me sende të forta dy prindërit e moshuar të autorit.
Ajo akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”; ndërsa dy të moshuarit e familjes Jaku, Agim dhe Vera përfunduan në spital, por jashtë rrezikut për jetën. Por, duket se konflikti nuk u mbyll me kaq. 41-vjeçari, i cili ishte kthyer sot nga Shqipëria, pasi ka vizituar prindërit e tij në spital ka marrë një armë tip “kallashnikov” dhe ka qëlluar për vdekje Callahun.
Jaku ishte duke pritur në afërsi të banesës Callahut dhe sapo ky i fundit ka dalë nga banesa, ai ka qëlluar me 8 plumba në drejtim të viktimës, i cili ishte në makinën e tij në momentin e atentatit. Si pasojë e plumbave, ai ka humbur drejtimin e automjetit edhe është përplasur me një kanal anësor të rrugës, më pas ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Aktualisht, autori 41-vjeçar është vendosur në pranga, ndërkohë që uniformat blu kanë gjetur edhe armën e krimit./korrieri