
Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) tregojnë se në vitin 2024 pati 1632 raportime të aktiviteteve të dyshimta nga subjektet raportuese, ose 96 më pak se në vitin 2023 dhe 158 më pak se në vitin 2022.
Avokatët kryesojnë kategorinë me zero raportime në tri vitet e fundit. Po kështu ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme raportuan vetëm 5 raste në 2024 ose katër më shumë se 2023.
Sa u përket noterëve, aktiviteti i të cilëve mbulon edhe përqindjen më të madhe të kontratave të ndryshme, rezulton se për vitin 2024 ka 413 raporte, ose 103 më pak se viti 2023 dhe 322 më pak se viti 2022.
Edhe raportimet nga bankat shënojnë një rënie me 38 raste më pak në 2024, megjithatë krahasuar me 2022 rezulton se bankat kanë raportuar 58 raste më shumë.
Por nëse do të analizoheshin shifrat në tërësi, rezulton se edhe pse me më pak raporte, sërish këto subjekte raportuese si bankat, noterët dhe subjektet që ushtrojnë aktivitet si shoqëri transfertash mbizotërojnë numrin më të madh të raportimeve në 2024.
Krahasuar me 2023 vihet re rritje e RAD (raportit të aktivitetit të dyshimtë) të dërguara nga shoqëritë e transfertave (13%), shoqëri tregtimi të mjeteve motorike (mbi 100%), shoqëri pagesash elektronike (mbi 100 %) dhe një rënie e RAD të dërguara nga banka (5%), noter (20%), ZKV (40%), DPD (66%) dhe DPT (50%).
Referimet në organet kompetente
Nga raporti rezulton se AIF ka dërguar për vitin 2024 në organet ligjzbatuese 234 raste, nga të cilat 67 në prokurori dhe 167 në DPPSH.
Ndër rastet e dërguara në Prokurori në vitin 2024, peshën më të madhe e zënë ato të dërguara në SPAK, ku përfshihen edhe rastet e dërguara në BKH, me 53% të totalit dhe pjesa tjetër i përket Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Gjatë vitit 2024, krahas dërgimit të rasteve në Prokurori dhe DPPSH, është dërguar informacion edhe në DPT për 25 raste për të cilat është konkluduar për dyshime për evazion fiskal, fshehje të ardhurash apo shkelje të tjera të legjislacionit tatimor.
Gjithashtu janë dërguar 116 informacione në SHISH, në lidhje me çështjet të dyshuara për aktivitet kriminal, objekt i përbashkët interesi mes dy institucioneve. Për sa i përket indicies fillestare për rastet e dërguara në agjencitë ligj zbatuese nga AIF, rezulton se burim kryesor i tyre mbeten RAD nga subjektet e ligjit, të cilat kanë shërbyer si pikënisje për rreth 93% të rasteve. /korrieri