
Prokuroria e Beratit ka shpallur pretencën për rastin tronditës të keqtrajtimit të një të mituri nga babai dhe gjyshja e tij, të cilët jo vetëm e kanë dhunuar psikologjikisht, por edhe e kanë detyruar të shfaqet në video me përmbajtje banale në rrjetet sociale, duke i shkatërruar fëmijërisë privatësinë dhe dinjitetin.
Në përfundim të gjykimit, organi i akuzës kërkoi 3 vite burg për Armando Kumarakun, babain e të miturit, si dhe një dënim shtesë që i heq të drejtën e përgjegjësisë prindërore. Për gjyshen, Natasha Rombla, u kërkua 2 vite burg, pasi ajo ka qenë bashkëpunëtore aktive në abuzimin e vazhdueshëm.
Fëmija i detyruar të flasë si “personazh rrjetesh sociale” – nën kërcënim dhe presion psikologjik
Sipas dosjes së prokurorisë, i mituri ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga babai dhe gjyshja. Ata kanë përdorur gjuhë fyese ndaj tij dhe e kanë detyruar të komunikojë në të njëjtën mënyrë para kamerës, për t’u postuar në platformat YouTube dhe TikTok, në mënyrë të përsëritur dhe pa dëshirën e tij.
“Fëmija është vënë nën trysni të vazhdueshme, është ekspozuar publikisht në mënyrë abuzive, dhe është detyruar të përdorë gjuhë të dhunshme e denigruese, e papërshtatshme për moshën që ka,” thuhet në dokumentet e dosjes.
Ekspozimi ndaj drogës dhe bullizimi nga familjarët – pasoja të rënda psikologjik
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se i mituri është ekspozuar edhe ndaj lëndëve narkotike, një akt i dënueshëm dhe i papranueshëm për një fëmijë. Sipas prokurorisë, babai dhe gjyshja e kanë shtyrë që të bëhet pjesë e videove në rrjetet sociale, duke i ofruar një “model” jetese aspak të shëndetshëm.
“Bullizimi, ofendimet e vazhdueshme dhe presioni publik kanë ndikuar rëndë në gjendjen e tij emocionale dhe psikologjike,” vijon më tej dosja.
Ekspertiza psikologjike ka evidentuar se veprimet e të pandehurve kanë sjellë shenja të çrregullimit të personalitetit antisocial te i mituri, një pasojë e drejtëpërdrejtë e rritjes në një ambient toksik, ku dhuna dhe abuzimi ishin pjesë e përditshme.
Përfundimi i hetimeve: Prova të plota për keqtrajtimin
Pas analizës së fakteve dhe dëshmive, Prokuroria e Beratit arrin në përfundimin se ka prova të mjaftueshme për të dënuar të dy të pandehurit për veprat penale të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik ndaj të miturit, si dhe për përdorimin abuziv të tij për qëllime ekspozimi publik në rrjete sociale.
Ky rast hedh dritë mbi një fenomen shqetësues që po shfaqet gjithnjë e më shpesh: shfrytëzimi i fëmijëve për “famë” në rrjete sociale, pa marrë parasysh pasojat e rënda që kjo mund të ketë për zhvillimin e tyre emocional e mendor. /korrieri