
Petrit Muhameti, pronari i kompanisë VAS KONSTRUKSION, më vonë e bërë 5D, që është njëherazi edhe krushku i të pandehurit Mariglen Qato, dëshmoi sot në GJKKO. Dosja “5D” ka të pandehur kryesor ish-drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët akuzohen si pronarët faktikë të kompanisë që ka përfituar miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës.
Dëshmia:
“Vëllai i Mariglen Qatos është martuar me gocën time. Kam në pronësi një furrë buke. Ka afërsisht 16-17 vjet që e kam. Një firmë, VAS Konstruksion, mu ofrua të bëhesha pronar, nga viti 2016-2017. Ma ofroi dhëndri im, Alfred Qato. ‘Është një firmë e mirë’, më tha, ‘do jesh pronar i kësaj kompanie. Nuk do bësh asgjë, ke staf për punën, vetëm do firmosësh’. Hapa një llogari në bankë për të tërhequr lekët. Hapa një numër llogarie. Banka më niste njoftim të tërhiqja shumën, 40 milionë lekë të vjetra. I merrja lekët, ia jepja Fredit dhe ato shkonin në arkën e vogël të shoqërisë. Dy herë shkova në bankë.
Pas një viti e shita, se pata një operacion zemre. Doktori më tha të largohem nga streset. I kërkova Alfredit të heq dorë. Kur e bleva nuk mora lekë, edhe kur e shita me 10 milionë lekë, nuk mora lekë. Nestori nuk më ka kaluar shumë monetare. Kur unë isha ortak, nuk njihja asnjë nga punonjësit. Kam shkuar një herë te kompania.”
SPAK: Eduard Metën e njihni?
Dëshmitari: Nuk e njoh, zoti prokuror. Nuk e di kush është. Mora vesh se ky kishte kompaninë IGOR para meje, por tani e kam marrë vesh. Më tha Fredi që hap një numër llogarie. Fitimin e kompanisë do e procesonim nga banka. Më pëlqeu se thashë: ‘Është punë me bankë’. Puna ishte 25 minuta, ia jepja Fredit.
Nga 32 milionë lekë të vjetra, pasi ndërruam bankën, ia dhashë Nestorit, 4 herë. Shumat ishin: 42 milionë më e madhja, 32, 37, 38, 40. 18 milionë ishte më e vogla. Më tha Fredi mua ta takoja Nestorin.
Me Mariglen Qaton kemi marrëdhënie krushqie. Në vitin 2006 erdhi se më vdiq babai. Në 2011, te dasma e vajzës dhe për ditëlindjen e nipit 10 vjet më pas. Tre herë e kam takuar. Për Redi Mollën e dëgjova për herë të parë në televizor, kur u arrestua për grupin 5D.”
Mbrojtja, Ardian Leka, pyet dëshmitarin:
“Administrator mora vesh ishte Nestori, në 2019. Fredi më tha. Nestorin e kam takuar 3 herë, e mbaj mend tamam, por mund ta kem takuar dhe një herë të katërt. E takoja pranë bankës, në bllok. Firmosja unë në bankë për tërheqjen me numrin tim të llogarisë. Asnjë qindarkë nuk kam marrë, asnjëherë. As nga shuma që kam dorëzuar, nuk kam marrë. Fitimi, më kishin thënë mua, kalonte në bankë. Ato i tërhiqja unë. Afro 25 muaj ka zgjatur që unë kam shkuar; mund të shkoja një herë në 3 muaj, 4. Kur më sillte mesazh banka.”