
Shifrat janë kokëforta. Nëse në vitin 2021 Partia Socialiste mori 768,134 vota dhe nxori 74 deputetë, në zgjedhjet e vitit 2025, me 698,485 vota të marra brenda vendit (pa përfshirë diasporën), ka arritur të sigurojë deri më tani 82 mandate. Pra, më pak vota, më shumë pushtet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike, e bashkuar me ish-LSI-në (tani Partia e Lirisë), ka marrë 462,233 vota, një rënie dramatike me 160 mijë vota më pak krahasuar me rezultatin e vitit 2021, ku së bashku kishin siguruar rreth 622 mijë vota. Atëherë, PD doli me 59 mandate. Sot, pavarësisht bashkimit, ka më pak përfaqësim dhe më shumë humbje.
Kjo situatë, më shumë se një fitore e qartë e PS-së, po interpretohet si një “shuplakë elektorale” për dyshen Berisha–Meta. I pari ka humbur mbështetjen e gjerë të 2021-it, ndërsa i dyti, në vend që të ndihmojë koalicionin, duket se e ka tërhequr poshtë.
Në këtë panoramë, një tjetër viktimë e sistemit aktual janë edhe partitë e vogla. Deri tani, ato kanë grumbulluar 180,574 vota brenda vendit, por kanë arritur të nxjerrin vetëm 6 deputetë, ndonëse mesatarja për një mandat është 10 mijë vota. Kjo do të thotë se rreth 120 mijë vota shqiptare kanë shkuar dëm, pa asnjë përfaqësim.
Votat e këtyre partive — të ashtuquajtura “bishtat” — përfundimisht kanë përfituar partitë e mëdha, të cilat i kanë maksimizuar nëpër qarqe falë shpërndarjes rajonale të mandateve. Fituesja kryesore është PS-ja, ndërsa PD-ja e përfitoi pjesërisht efektin e këtij deformimi sistemik.
Nëse Shqipëria do të kishte një sistem kombëtar proporcional, rezultati do të ishte ndjeshëm më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës. Por me sistemin aktual, deformimet janë të theksuara.
Për ilustrim: në Tiranë, në KZAZ nr. 40, tensionet mes partive ishin të pranishme dhe vëzhgues të forcave politike u nxorën jashtë qendrave të numërimit — një tjetër shenjë e kontestimit dhe trysnisë mbi procesin.
Pra, fitorja numerike e PS-së mund të mos jetë një triumf absolut, por humbja e thellë e opozitës, një opozitë që pavarësisht bashkimeve dhe emrave të mëdhenj, nuk arriti të rifitojë besimin e humbur. /korrieri