
PD tha se e kapi duke blerë vota, kush është Fiqiri Pali që mori pa garë tenderin 5.2 mln euro në Dibër dhe tani shëtit me Maybach
Një ngjarje e tensionuar ndodhi mbrëmjen e kaluar në Maqellarë të Dibrës, ku përfaqësues të Partisë Demokratike ndaluan dy automjete duke akuzuar eksponentë të Partisë Socialiste për blerje votash në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Në qendër të akuzave është biznesmeni Fiqiri Pali, pronar i kompanisë “Sireta 2F” me bashkëshorten Fatime Pali, një emër i njohur për fitimin e tenderave publikë në zonën e Matit dhe Dibrës.
Sipas burimeve nga vendngjarja, për më shumë se dy orë, mbështetës të opozitës bllokuan dy automjete në pritje të ndërhyrjes së policisë dhe prokurorisë. Situata u bë gjithnjë e më e tensionuar, me forcat e rendit që rrethuan zonën për të garantuar mbarëvajtjen e veprimeve procedurale.

Pas mbërritjes së prokurorit të rrethit Dibër dhe oficerëve të policisë gjyqësore, u krye kontrolli i automjeteve. Në një makinë të tipit Mercedes Maybach, e cila i përkiste biznesmenit Fiqiri Pali, u gjetën 4500 dollarë amerikanë, një paund britanik si dhe tollona nafte. Automjeti ishte i mbyllur dhe u desh të pritej për orë të tëra ardhja e shoferit për të dorëzuar çelësat. Në automjetin tjetër, ku ndodheshin ndër të tjera edhe persona të lidhur me shtabin politik të kandidatit të PS-së, Blendi Klosi, nuk u gjetën sende të paligjshme.
Prokuroria e rrethit Dibër ka urdhëruar sekuestrimin e celularëve të personave të përfshirë në incident dhe ka nisur hetimet nën dyshimet për “krim zgjedhor”.
Kush është Fiqiri Pali?
Fiqiri Pali është një nga biznesmenët më të preferuar për tenderat publikë në Mat dhe Dibër. Kompania e tij, Sireta 2F, ka përfituar një sërë kontratash me vlera të mëdha nga fondet publike, duke u kthyer në një emër të njohur në listat e tenderave fitues në këto zona.
Vetëm së fundmi, “Sireta 2F” ka fituar një kontratë të majme me vlerë 5.2 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Vakuf, Njësia Administrative Kastriot, Dibër.
Tenderi, me numër reference REF-10495-06-21-2024, ishte shpallur nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër SH.A, dhe fondi limit i tij ishte 56,246,445 lekë pa TVSH, raportojnë mediat.
Angazhimi i një biznesmeni të tillë në një ngjarje të lidhur me dyshime për blerje votash ngre pikëpyetje serioze mbi pastërtinë e procesit zgjedhor në qarkun e Dibrës, si dhe mbi përdorimin e burimeve ekonomike të fituara përmes tenderave publikë në funksion të fushatave politike.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, ngjarja pritet të ketë jehonë të gjerë politike, duke rënduar më tej klimën e tensionuar të fushatës elektorale pak ditë para votimit.