
Vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, qeveria shqiptare miratoi një vendim që fal një sërë gjobash dhe masash administrative të vendosura ndaj qytetarëve dhe bizneseve gjatë viteve të fundit.
Korrieri mëson se kjo lëvizje vjen pas sondazheve të fundit që i janë paraqitur Kryeministrit Edi Rama gjatë javës, të cilat tregojnë se Partia Socialiste nuk arrin të sigurojë e vetme shumicën parlamentare pas zgjedhjeve.
Përballë këtij skenari të vështirë, vendimi për faljen e gjobave shihet si një përpjekje e minutës së fundit për të ndikuar opinionin publik dhe për të shtuar mbështetjen elektorale.
Vendimi i marrë këtë të premte parashikon shfuqizimin e të gjitha masave administrative të paekzekutuara që janë vendosur në periudhën 1 janar 2015 – 30 nëntor 2024.
Falja përfshin gjoba të vendosura nga institucione të ndryshme publike si Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Të gjitha këto institucione duhet të përgatisin dhe dërgojnë brenda 30 ditëve listat e gjobave të paekzekutuara pranë drejtorive të taksave, për të realizuar fshirjen e tyre nga sistemi.
Gjobat që do të falen përfshijnë, ndër të tjera, masat administrative ndaj qytetarëve për shkelje të kufizimeve gjatë pandemisë së COVID-19, si dhe gjoba për ndërtime apo ndërhyrje pa leje për qëllime banimi ose bujqësie në zonat rurale. Subjektet që ushtrojnë aktivitet bujqësor apo blegtoral në këto zona janë gjithashtu përfituese të vendimit.
Në rast se pas afatit të përcaktuar ndonjë qytetar apo subjekt rezulton ende me gjoba që përfshihen në këtë falje, ai ka të drejtë të paraqesë një kërkesë për fshirje, dhe nëse refuzohet, mund ta ankimojë në gjykatë.
Vendimi, i marrë në një moment delikat elektoral, përforcon perceptimin e një lëvizjeje politike të diktuar nga presioni i rezultateve të sondazheve, të cilat sinjalizojnë rrezikun për humbjen e shumicës së vetme qeverisëse nga Partia Socialiste, megjithatë opozita nuk duket në kushtet që mund të fitojë zgjedhjet. /korrieri