
Opinion nga Albi Hoxha
Një numër i madh shqiptarësh janë të pakënaqur me qeverisjen e Edi Ramës. Mungesa e meritokracisë, kapja e institucioneve, përplasja e interesave të pushtetit me qytetarin e zakonshëm, e kanë rritur në ekstrem neverinë ndaj kësaj qeverie. Në këtë klimë, shumë shqiptarë janë gati të votojnë këdo që qëndron përballë Ramës, pa shumë pyetje dhe pa shumë rezerva.
Por mënyra se si janë bërë listat e kandidatëve nga opozita e Sali Berishës e kthen këtë zemërim popullor në ujë për mullirin e Ramës. Berisha nuk hyri në këto zgjedhje për të fituar. Ai hyri për të siguruar një rreth të ngushtë besnikësh që do ta mbrojnë pas 11 majit, në betejën për mbijetesën e tij personale dhe politike. Vota për të sot është më shumë një investim për të kaluarën e tij, sesa një shpresë për të ardhmen tonë.
Personalisht, do të doja shumë të votoja Ilir Alimehmetin. Një intelektual i denjë, një qytetar shembullor, një prind i përkushtuar, një mjek që ka dhënë kontribute reale në sistemin spitalor shqiptar. Në çdo rrethanë tjetër, Alimehmeti do të ishte një kandidat që do ta votonin me zemër të plotë, pa mëdyshje. Madje ai do të merrte vota majtas për atë që përfaqëson, por Berisha nuk e pa të denjë edhe për Bashkinë e Tiranës duke futur në parakalim Belind Këlliçin dhe rezultati dihet.
Listat e mbyllura, të diktuara nga Berisha, na imponojnë një realitet tjetër. Kush voton për Ilir Alimehmetin, në fakt, voton për Flamur Nokën, Edi Palokën, Jozefina Topallin, figura që kanë përfaqësuar për vite të tëra mënyrën më të vjetruar dhe të korruptuar të të bërit politikë. Jozefina, që dikur krijoi një parti kundër Berishës, sot rreshtohet në listë si të mos kishte ndodhur asgjë.
Në një vend ku arroganca e qeverisë është bërë e padurueshme dhe ku krimi i organizuar ka kapur prej fyti ekonominë, madje edhe Gazeta Korrieri po përballet sot me sulme nga krimi i organizuar për shkak të raportimeve tona, qytetarët kishin nevojë për një alternativë reale, jo për një riciklim të së njëjtës klasë politike të djeshme.
Prandaj, doktor Ilir Alimehmeti, më fal që nuk të votoj dot më 11 maj!
Jo për fajin tënd, por sepse vota për ty do të ishte në fakt një votë për të fuqizuar politikisht figurat që përfaqësojnë të njëjtat fenomene që Shqipëria duhet t’i kishte lënë pas.
Dhe këtë, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë, nuk mund ta bëjmë më. /korrieri