
FAKTET/ Si i përdori Vangjel Tavo fondet publike për fushatën e PS dhe Vullnet Sinajt në Himarë
Në prag të sezonit turistik 2025, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, është përfshirë në një skandal të ri financiar, ku dyshohet për përdorim të fondeve publike në funksion të fushatës elektorale.

Me një fond prej afro 100 mijë eurosh, Tavo organizoi një seri aktivitetesh kulturore nën logon e çeljes së sezonit veror, ndërkohë që faktet tregojnë se mjetet financiare të qytetarëve mund të jenë përdorur për përfitime politike.
Tenderi për organizimin e aktiviteteve u fitua nga një bashkim i dy kompanive nga Pogradeci, “JOKLEN & CO” dhe “SHBB ELIA BUZAHISHTE 1998”, kompani pa eksperiencë në fushën e organizimit të eventeve: njëra merret me tregti skrapi dhe shërbime funerale, ndërsa tjetra me mbjellje patatesh. Ato konkurruan të vetme dhe fituan tenderin me një ofertë sa 99.9% e fondit limit, duke ngritur dyshime serioze për mungesë gare dhe favorizim.
Shuma e kontratës arriti në 9,973,000 lekë pa TVSH, një shumë shumë afër fondit të përcaktuar prej 9,983,333 lekë.

Në aktivitetin e organizuar, pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur si nismë institucionale, nuk munguan mesazhet e drejtpërdrejta politike nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit, ndërsa në sfond dominonin simbolet dhe sloganet e kandidatit të mazhorancës në Himarë, Vullnet Sinaj. Madje, një parashutist u hodh në brigjet e Himarës me emrin e Sinajt, duke ekspozuar hapur lidhjen e aktivitetit me fushatën zgjedhore.
Kush financoi spektaklin e fishekzjarreve?!
Një tjetër pikë e errët në këtë organizim është fakti se nuk dihet ende kush ka financuar disa nga aktivitetet anësore që nuk janë përfshirë në preventivin e tenderit. Një shembull konkret është spektakli me fishekzjarre, i cili nuk është parashikuar në dokumentacionin zyrtar të kontratës së financuar nga fondet publike.
Nëse rezulton se spektakli është financuar nga kandidati Vullnet Sinaj ose të tjerë të interesuar në fushatë, atëherë do të jemi përballë një shkeljeje serioze të ligjit, që mund të klasifikohet si krim zgjedhor dhe të bëhet objekt hetimi nga SPAK.
Korrieri është duke mbledhur informacion mbi këtë çështje, e cila ka potencialin të kthehet në një skandal të madh publik dhe juridik.
Në kushtet kur SPAK ka nisur hetime për përdorimin e burimeve publike në fushatë në disa bashki, rasti i Himarës pritet të jetë në vëmendje të veçantë. Ekspertët vlerësojnë se përdorimi i fondeve publike për qëllime elektorale përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të drejtësisë.
Në një kohë kur sfidat ekonomike dhe sociale të qytetarëve janë akute, përdorimi i parave të tyre për interesa politike mbetet një akt i rëndë ndaj besimit publik dhe sundimit të ligjit./korrieri