
Në vendimin e arsyetuar prej 144 faqesh të gjyqtarit të Apelit të Posaçëm, Engert Pellumbi, i cili vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksohet se veprat për të cilat ai po hetohet janë të natyrës së rëndë dhe parashikojnë dënime nga 5 deri në 15 vite burg.
Në analizën e gjyqtarit bie në sy një element që, sipas tij, rëndon më tej pozitën ligjore të Veliajt: sjellja e tij pas ndalimit dhe përmbajtja e përgjimeve që janë bërë pjesë e dosjes hetimore. Sipas burimeve nga dosja, prokurorët kanë ndërtuar pjesërisht akuzën mbi komunikime të përgjuara mes Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, ku kryebashkiaku shfaqet në mënyrë të përsëritur duke fyer, kërcënuar dhe tentuar të manipulojë situatën hetimore.
Në disa raste, Veliaj shprehet hapur për përpjekjen për të ndikuar opinionin publik dhe për të ngritur një “furtunë mediatike” kundër prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani, të cilët kanë ndjekur çështjen ndaj tij. Në përgjimet e transkriptuara në dosje, Ajola Xoxa i kërkon disa herë që të “zbusë tonin në publik” dhe të shmangë konfrontimin e drejtpërdrejtë me hetuesit, por Veliaj kundërpërgjigjet: “Më shumë s’kanë çfarë të më bëjnë, në burg më kanë futur.”
Këto qëndrime – sipas prokurorisë – janë prova e qartë e mungesës së reflektimit, por edhe e një përpjekjeje për të intimiduar organet e drejtësisë dhe për të deformuar perceptimin publik për procesin. Kjo është një nga arsyet që gjyqtari Engert Pellumbi përmend si justifikim për mbajtjen e Veliajt në kushtet e izolimit.
Përveç kësaj, gjykata ngre dyshime për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal, që përfshin Veliajn, Ajola Xoxën dhe biznesmenin Elman Abule. Sipas vendimit, bashkëpunimi i tyre përmbush kriteret e pluralitetit, qëllimit të përfitimit material dhe vazhdimësisë së veprimtarisë së dyshuar kriminale – elementë kyç të një grupi të strukturuar kriminal.
Megjithëse akuzat për grup të strukturuar kriminal nuk janë formuluar ende, gjyqtari lë të hapur mundësinë që në vijim të hetimeve, SPAK të orientohet drejt kësaj akuze më të rëndë. Aktualisht, Veliaj, bashkëshortja e tij dhe gjashtë biznesmenë po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash.
Por me përfshirjen e përgjimeve dhe përmbajtjes së tyre në dosjen zyrtare, pozita e Veliajt përkeqësohet dukshëm – jo vetëm ligjërisht, por edhe në aspektin e integritetit të figurës publike dhe sjelljes ndaj institucioneve të drejtësisë./korrieri