Kreu i PD-së, Sali Berisha ka bërë një deklaratë të çuditshme teksa është pyetur nëse fituesit e primareve do të jenë në lista të mbyllura, u përgjigj duke thënë se gara nuk është bërë për këtë qëllim.
Berisha u shpreh se “në përpilimin e listave të mbyllura ka disa faktorë që ndërhyjnë” dhe se ky do të jetë një kriter i rëndësishëm gjer në kuota.
“Kjo garë nuk është bërë për të qenë në lista të sigurta. E sigurt është ai që merr më shumë vota do të jetë në Kuvendin popullor. Por, pa diskutim, në përpilimin e listave të mbyllura ka disa faktorë që ndërhyjnë. Por, a do të jetë ky kriter për përfshirjen e të tjerëve? Po, do të jetë një kriter i rëndësishëm gjer në kuota. Megjithëse ju e patë që ka zonja që kanë marrë vota shumë lartë, dmth nuk ka asnjë vështirësi”, tha Berisha.
Ndërkohë, më herët, Berisha ka konfirmuar në listë të sigurt 4 deputetë të PL, bashkë me Ilir Metën në Tiranë. Në këto kushte, shtrohet pyetja: Si mund të mos jetë në listë të sigurt për shembull Hysen Kadiu që mori më shumë vota se të gjithë, apo Ilir Alimehmeti ose të ngjashëm me ta dhe të jetë Ilir Meta?
Çfarë plani ka në të vërtetë Sali Berisha ? /korrieri
